×
Shqiperia ime FALAS - Në Google Play
INSTALO
Të Rekomanduara
Ndeshja e “harruar”/Kur Panucci bënte autogol në Tiranë më ‘92!
nga B.Marku (30/11/2017 ora 10:05)

Pas konferencës për shtyp që Christian Panucci zhvilloi javën e shkuar u përfol se tekniku i Kombëtares kishte refuzuar një miqësore me Andorrën, sepse ai kërkonte një ekip më cilësor për t’u përballur. Kjo në fakt sjell një ndryshim për mënyrën se si Kombëtarja i koncepton miqësoret dhe rëndësinë e tyre.

Duhet thënë se nuk janë shumë të largëta kohërat kur Shqipëria ndeshej me skuadra komplet pa vlerë ose arrinte deri aty sa luajti një miqësore me një ekip thuajse anonim si Kallamata, që përveçse nuk kishte asnjë vlerë në aspektin teknik, përfundoi me një humbej katastrofike për ne 4-1.

Por “Eduasportin.com” ka arritur të zbulojë nëpër arkiva një nga këto miqësore të çuditshme të harruar nga opinioni publik dhe nga shtypi. Bëhet fjalë për një ndeshje të luajtura në vitin 1992 dhe për të cilën është raportuar nga shtypi i kohës, por që më pas duket sikur është lënë në harresë dhe është fshirë nga arkivat. Kombëtarja shqiptare menjëherë pas ndeshjes me Letoninë në nëntor 1992, e përfunduar në barazim 1-1, e vlefshme për eliminatoret e USA 94, vendos të zhvillojë një takim me Italinë Militare.

Po çfarë ishte Italia “Militare”? Italia Militare ka qenë një ekip i ushtrisë italiane që përbëhej nga futbollistë që kryenin shërbimin ushtarak. Madje, kjo skuadër u shpall 3 herë Kampione e Botës në Kampionatin e Ushtrive, por do të shpërbëhej si ekip në momentin kur u hoq shërbimi ushtarak në Itali.

Por, le të kthehemi në ndeshjen tonë. Ëndrra e gjithë sportdashësve shqiptarë në fillim të viteve ‘90 ka qenë një përballje me Italinë, qoftë edhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në këtë mënyrë nisën përpjekjet për të organizuar një takim me një përfaqësuese të Italsië, ndonëse nuk ishte Kombëtarja e vërtetë. Shqipëria sapo kishte dalë nga një periudhë e errët izolimi të egër dhe të organizojë një miqësore me ndonjë ekip me emër në atë kohë, ka qenë e vështirë për shumë faktorë.

Gjithsesi, miqësorja do të zhvillohej më 25 nëntor të vitit 1992 në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës dhe përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të kuqezinjve. Ndeshja e drejtuar nga gjyqtari Plarent Kotherja u ndoq nga 2000 të pranishëm në stadium, ndërkohë që trajneri Bejkush Birçe kishte grumbulluar lojtarët më të mirë në qarkullim të asaj kohe si Xhevahir Kapllani, Ilir Shulku, Adnan Ocelli, Edmond Dalipi, Indrit Fortuzi, Edmond Dosti, etj.

Por surpriza më e madhe, dhe nga e cila mori spunto ky artikull, është përbërja e Italisë. Lojtarë që asokohe ishin pak të njohur, por që më vonë do të ishin protagonistë të futbollit italian, por edhe ta atij shqiptar.

Sa për kronikë, dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e parë. I pari u realizua në minutën e 20-të nga Christian Panucci....po, po, pikërisht trajneri aktual i Kombëtares shqiptare, i cili ishte 19 vjeç dhe pjesë e Genoas. Panucci do të shënonte një autogol në portën e Italisë të mbrojtur nga Stefano Visi. Goli i dytë erdhi në minutën e 28-të dhe u shënua nga Edmond Dosti.

Përveç Panucci-t, i cili një vit më pas do të transferohej te Milani dhe do të niste një karrierë të lavdishme me klube të mëdha, në radhët e kombëtares ushtarake italiane ishin edhe Paolo Tramezzani, asokohe lojtar i Interit, që në vitin 2011 do të bëhej asistent i trajnerit Gianni De Biasit në kombëtaren shqiptare për të kaluar 5 vjet me kuqezinjtë.

Gjithashtu, në pjesën e dytë do të aktivizohej për 45 minuta dhe Christian Vieri, që në atë periudhë aktivizohej te Pisa, por brenda një kohe të shkurtër do të bëhej një nga bomberat më të mirë të historisë së Italisë.

Me shumë mundësi si Tramezzani ashtu edhe Panucci nuk kanë menduar në atë periudhë se pas 20 vitesh do vinin sërish në Shqipëri, por kësaj here për t’u afirmuar si trajnerë.

Për Tramezzanin hera e parë në Shqipëri i solli fat për të ardhmen, kur me Kombëtaren kuqezi arriti të kualifikohej në Euro 2016, diçka që nuk mund të imagjinohej si objektiv në vitin e largët 1992. Të shpresojmë që kjo ndeshje të ketë të njëjtin fat dhe për Christian Pannucin.

Ndërkaq, është interesant fakti se si është pasqyruar kjo ndeshje në shtypin e kohës. Në fakt, ndeshja u organizua për motive bamirësie dhe të ardhurat shkuan për fëmijët me vështirësi fizike dhe mendore. Pati edhe një trofe për ekipin fitues, që i shkoi kombëtares shqiptare. Më poshtë, po ju risjellim një ekstrakt të një prej artikujve të publikuar në gazetat e kohës:

“Në mbyllje, publiku i larmishëm duartrokiti ceremoninë e dhënies së kupës së miqësisë Shqipëri-Itali, të cilën pas një fjale të shkurtër ja dha ekipit fitues kryetari i Kryesisë të Kuvendit Popullor, zoti Pjetër Arbnori. Gjithashtu në fushë për të përshëndetur sportistët zbriti edhe Presidenti i Republikës, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit te Jashtëm të Parlamentit Italian, zoti Antonio Carilia, si dhe ambasadori i Republikës Italiane në Shqipëri, zoti Torcuato Cardilli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Dhimitër Anagnosti. Të ardhurat që u realizuan nga ky takim miqësor do t'i dhurohen kopshteve të fëmijëve me vështirësi fizike dhe mendore. Edhe ky gjest është mjaft simbolik.”

Skeda e ndeshjes është si më poshtë

Shqipëri - Italia Militare 2-0

Datë: 25.11.1992

Golat: 20’ Christian Panucci (ag) , 28’ Edmond Dosti

Shqipëria: Xhevahir Kapllani, Ardian Abazi, Kastriot Peqini, Shyqyri Shala, Ilir Shulku, Adnan Ocelli, Alfons Muça, Alvaro Zalla (54’ Sokol Meta), Edmond Dosti (65’ Genci Laçka), Edmond Dalipi, Indrit Fortuzi (59’ Nikolin Çoçlli).

Trajner: Bejkush Birçe

Italia Militare: Stefano Visi, Massimiliano Rosa, Ruggero Radice (46’ Nicola Boselli), Christian Panucci, Massimo Paganin, Paolo Tramezzani, Stefano Vecchi, Fabrizio Ficini (46’ Christian Vieri, Giorgio Bresciani, Michele Baldi, Gaetano Fontana, Paolo Poggi.

Trajner: I. Spartano

Gjyqtar: Plarent Kotherja (Shqipëria)

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë

Të pranishëm: 2000 tifozë/ “eduasposportin”: Mendrit Shehu/Fatjon Kodra

Ju sugjerojmë
Më te Lexuarat
" NJOFTIM/ Shikoni që Shqipëria dëmtohet, shikoni që një qytetar është i braktisur, shikoni një ngjarje skandaloze dhe të dhunshme, shikoni probleme që ju shqetësojnë ju apo të tjerët. DENONCO. Vetëm me anë të një mesazhi në WhatsApp ose Viber, duke derguar videon apo foton dhe lajmi juaj do të bëhet publik menjëherë në faqen më të madhe në Shqipëri “Shqipëriaime.al”. Tel :+355693530088 Email: [email protected]